Coaching M’Elidën
Coaching M’Elidën: Pse ky trajnim është kaq i rëndësishëm në Orion
“The interesting thing about coaching is that you have to trouble the comfortable, and comfort the troubled.” – Ric Charlesworth, hockey coach.
Për të pasur sukses në cilëndo industri, përfshirë këtu edhe industrinë e ndërtimit, historia ka treguar që kompanitë duhet të përqafojnë inovacionin dhe të evoluojnë për të qenë gjithmonë në avantazh. Në këtë pikë, zhvillimi personal dhe profesional i punonjësve është një prioritet i kulturës së punës në Orion. Si e realizojmë këtë?
Coaching (një metodë trajnimi, këshillimi ose udhëzimi ndaj një individi ose një grupi) është një nga mënyrat se si Orion investon për të përmirësuar performancën e stafit. Një vit më parë, nisëm një bashkëpunim me Elida Motron, CEO e “Emi Coaching & Consulting”, një program i personalizuar i cili ndërthur punën dhe argëtimin gjatë seancave në grup, individuale dhe veprimtarive në komunitet.
Coaching M’Elidën aktualisht është i përqendruar te trajnimet e drejtuesve të departamenteve dhe së shpejti do të përfshijë një grup edhe më të gjerë punonjësish.
Ky trajnim inkurajon komunikimin, reflektimin dhe vetë-përmirësimin dhe përqendrohet rreth pyetjes “Si?” – Si të vendosen pritshmëritë? Si të përgatitemi për të nesërmen? Si të sfidojmë veten? Si të sjellim një qasje ndryshe? Ndryshe nga trajnimet tradicionale, Coaching M’Elidën nuk është një event specifik; është një proces afatgjatë.
Përmes këtij rrugëtimi të Coaching M’Elidën, por edhe elementëve të tjerë si seminaret, udhëtimet, trajnimet profesionale, përpiqemi që të sigurojmë një kulturë pune ku kushdo ndihet që punon me ne, jo për ne.